Ai tha se nuk ka asnjë plan konkret për dëbimin e shqiptarëve që kanë kaluarilegalisht kufirin drejt Britanisë së Madhe, por i ka kërkuar kryeministrit britanik të luftojnë në kohë me efikasitet trafikun e qenieve njerëzore.
“Nuk është folur për asgjë të re, thjesht për të bashkuar forcat më shumë për t’u organizuar më mirë dhe unë kam përsëritur të gjitha gjërat që ua kam përsëritur paraardhësve të tij, se si sipas nesh bëhet një luftë efikase kundër rrjeteve të trafikut. Të shikojmë nëse pala britanike do të jetë më aktive këtë herë, e jo vetëm kur ka ngjarje televizive”- tha Rama.
Rama tha se së shpejti kryeministri i Britanisë mund të vizitojë Shqipërinë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve. Diskutim i cili ishte bërë pjesë e bisedës së tyre telefonike.
“Së shpejti do të kemi dhe një këmbim vizitash. Nuk ka ndodhur asnjëherë që një kryeministër britanik të vijë në Shqipëri.”- theksoi Rama.
Dy ditë më parë mediat britanike shkruanin se telefonata mes dy kryeministrave nënkuptonte një marrëveshje të mundshme për dëbimin e shqiptarëve nga Britania e Madhe, por një gjë e tillë nuk u konfirmua nga kryeministri Rama.