Putin ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura, duke sfiduar paralajmërimet e Perëndimit se hapa të tillë do të jenë ilegalë dhe do të shkatërrojnë negociatat për paqe.
Në dekret është thënë se vendimi duhet të zbatohet menjëherë.
Në të është thënë se ushtria ruse do të hyjë në Donetsk “me kërkesë të republikës për të siguruar paqen”.
Aty po ashtu i kërkohet Ministrisë së Jashtme të Rusisë të përgatisë “një marrëveshje për miqësi, bashkëpunim dhe ndihmë të dyanshme” me Republikën e Donetskut dhe që ajo t’i dërgohet Kremlinit për nënshkrim.
Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër vendimin e Putinit.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbesin plotësisht mbështetëse të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës.