Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, thotë që partitë opozitare nuk janë duke e kundërshtuar me asgjë kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.
Tërmokolli i quan llafe të kota kritikat e opozitarëve pasi thotë se nuk kanë asnjë kundërshtim serioz ndaj kryeministrit Kurti.
“Partitë opozitare nuk janë duke e kundërshtuar me asgjë, këto janë llafe të kota, muhabete të cilat nuk thonë asgjë. Nuk ka asnjë kundërshtim serioz a po një qasje më serioze edhe vlerësim, por edhe një drejtim, sepse nëse opozita e kundërshton diçka duhet me dhënë një drejtim politik. Ne nuk kemi pa asgjë nga opozita lidhur me këtë gjë. Janë muhabete”, tha ajo në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ish-deputetja thotë që Kurtit nuk mund t’i ngarkohen të gjitha marrëveshjet që janë bërë në të kaluarën.
“Një korrektësi minimale duhet të ekzistojë, në kuptimin që nuk mund t’ia ngarkosh Albin Kurtit se e ka bë marrëveshjen për Asociacionin, nuk mund t’ia ngarkosh Albinit që i ka bë të gjitha ato marrëveshjet tjera me fusnota, ç’fusnota njëra-tjetra. Dihet hapur kush i ka bë, dhe nuk mund ta akuzosh sot se u bë marrëveshje për Asociacionin”, tha ajo.
Sipas saj, problemi i kryeministrit është se ka garantuar që do t’i anulojë marrëveshjet dhe se nuk do të ketë Zajednicë.
“Problemi është që kryeministri Kurti tash, Albini Kurti opozitar ka garantuar që do t’i anulojë. Këtu është problemi, këtu është esenca. Ky i ka marrë obligime vetës vetë dhe duke qenë se këto janë të dëmshme edhe janë të dëmshme se s’mundet me qenë diçka si opozitar i dëmshëm, e si pushtetar e dobishme njësoj si kur të tjerët kur kanë dalë nga pushteti kanë thënë ajo është e dëmshme”, deklaroi Tërmkolli.