Në një përgjigje për Teve1.info, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se në lidhje me situatën e krijuar atje, KQZ-ja do të mbajë sot mbledhje.
Sipas Elezit, mbledhja do të mbahet në ora 18:00.
“Jemi në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyret e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, ka thënë ai.
Në media po raportohet për dy shpërthime që janë dëgjuar pasditen e së martës në Zubin Potok, ndërsa tri të tjera në Mitrovicë të Veriut – që të dyja komuna të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Në lidhje me këtë, Teve1.info ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, mirëpo të njëjtit ende nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje. /Teve1.info/