Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjylieta Mushkolaj thekson se marrëveshja e fundit me Serbinë hap ‘portën e madhe’ për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).
Kjo pasi që sipas saj, Kosova më nuk ka probleme të shtetësisë për t’u anëtarësuar aty.
“Kjo marrëveshje direkt e hap atë portën e madhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Realisht nuk ka asnjë problem formal sa i përket shtetësisë së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës derisa ne e kemi këtë marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja, ku zotohen dy palët, respektivisht pajtohen dy palët se do të rregullojnë raportet me njëra-tjetrën bazuar në Kartën e OKB-së”, ka deklaruar Mushkolaj në ResPublika në Tëvë1.
Sipas saj me një anëtarësim në KiE Kosova do të ketë mekanizma që të kujdeset edhe për shqiptarët e Luginës.
“Kështu që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do ta hap atë rrugën e madhe dhe të rëndësishme ku Kosova do ta ketë fjalën e vet gjithashtu edhe për mbrojtjen ose për ngritjen e çështjes së pakicës shqiptare në Serbi. Pa qenë brenda një organizate të tillë Kosova nuk ka mekanizma që të luftojë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Në momentin kur bëhet anëtare, do t’i ketë në dispozicion të gjithë mekanizmat të jetë shumë fuqishëm e angazhuar për të drejtat e shqiptarëve në Serbi”, ka deklaruar ajo.