Kryeministri i vendit, Albin Kurti bën të ditur se në takimin e 4 prillit në Bruksel, zv.kreyministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq do të diksutojnë për çështjen e zbatimit të marrëveshjes, e cila siç thotë ai, tashmë është dakorduar.
Kurti theksoi se zbatimi i marrëveshjes duhet të jetë i shpejtë, përcjell teve1.info
“Me 4 prill në Bruksel, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Pra ka marrëveshje, ekziston marrëveshje, ajo është shumë e qartë publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të saj, prandaj do të organizohet edhe një takim mes kryenegociatorëve”, deklaroi ai për media të mërkurën.
Kreu i Ekzekutvit potencoi se marrëveshja duhet të zbatohet e tëra dhe “nuk duhet copëtuar duke i marrë pjesët e preferuara”.
“Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra, nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet. Ashtu që nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes dhe të ankesit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë as zbatim të njëanshëm të marrëveshjes”, shtoi Kurti.
Ai shtoi se “fjala urgjencë është te çështja e të pagjeturve”.
Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, është caktuar për të martën, 4 prill, kanë konfirmuar zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Ky takim është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri Kurti, dhe presidenti serb Vuçiq, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve. /Teve1.info/
https://teve1.info/lajmet/dialogu-vazhdon-me-4-prill-ne-nivel-te-kryenegociatoreve/