Menjëherë pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, në Kosovë u ndërmorën disa hapa simbolik, që tregonin për nevojën e anëtarësimit në NATO.
Në marsin e vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti formoi grupin punues për përshpejtimin e këtij procesi.
Kurti deklaroi disa herë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim, fillimisht në Partneritetin për Paqe.
Por, anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri thotë se këto janë deklarata politike, pasi që Kosova ende nuk i ka kapacitetet ushtarake për këtë mekanizëm.
Deputeti opozitar kërkon që institucionet të punojnë më shumë në këtë drejtim.
Kurse, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se mosanëtarësimi i vendit në këtë organizatë vjen si pasojë e katër vendeve mosnjohëse të Kosovës, brenda Aleancës Veriatlantike.
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s.
Programi përfshin çdo fushë të aktivitetit të NATO-s, si: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis.
Kronika e realizuar nga gazetari Lindrit Zejnullahu.