Në dy raste të ndara u është vënë zjarri tri veturave në Leposaviç, raporton teve1.info
Sipas komunikatës së Policisë, pas mesnatës së mbrëmshme është raportuar se u është vënë zjarri tri veturave të cilat i përkasin qytetarëve të nacionalitetit serb, derisa dy vetura posedonin targa RKS ndërsa një targa të Beogradit.
“Më 1 prill 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur, në dy rate të ndara, janë djegur tri vetura që iu përkasin qytetarëve të nacionalitetit serb.
Njëri rast ka ndodhur, më 1 prill 2023, në orët e hershme të mëngjesit (3:40h), në Leposaviq, afër çerdhes së fëmijëve, ku veturat ishin të parkuara skaj rruge. Një veture me targa RKS i është vënë zjarri, po ashtu nga zjarri është përfshirë edhe një veturë tjetër me targa të Beogradit që ishte afër veturës me targa RKS. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin.
Rasti tjetër ka ndodhur po ashtu në Leposaviq, afër qendrës së sporteve, ku një veturë me targa RKS është djegur nga persona të dyshuar”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, në të dy rastet, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin.
“Policia e Kosovës, në këto raste ka reaguar me të shpejtë, duke ndërmarrë veprimet e duhura policore dhe duke iniciuar rastet kriminale të cilat është duke i trajtuar (hetuar) me seriozitet dhe me këtë rast fton qytetarët për bashkëpunim në gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në njoftimin policor.
Një ditë më parë në po ashtu në komunat veriore me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan u dogjën tri vetura tjera me targa RKS.
Sipas policisë së Kosovës, dy vetura ishin djegur në Mitrovicë të veriut ndërsa një në Zveçan.
Kurse dy ditë më herët, apo më datën 30 mars në veri ishin djegur edhe dy vetura tjera.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për incidentet apo motivet e tyre, derisa ka shtuar se po i heton rastet.
Djegie të veturave në veri të Kosovës kishte edhe vitin e kaluar, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të veturave me targa ilegale të Serbisë.