Në një përgjigje për teve1.info, Policia ka bërë të ditur se që nga paraditja e së hënës do të fillojë gjobitjen e shoferëve që bartin këto targa ilegale.
“Ashtu siç është bërë e ditur sipas vendimit për targat Nr.05/103, deri me datë 21 nëntor ishte paraparë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntori, Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se do të filloj zbatimin e shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi, i cili sipas vlerësimit dhe planit policor pritet të filloj po në këtë datë (22.11.22) gjatë ndërrimit të paradites”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me shefin për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, emisarin për dialog, Miroslav Lajçak dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndërkaq, Borrell ka dhënë detaje pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një konferencë për media, ai bëri të ditur se nga ky takim nuk është arritur ndonjë marrëveshje rreth konvertimit të targave ilegale serbe në ato “RKS”.
Ai ka konfirmuar se nuk është pranuar propozimi i tij që Kosova të heq vendimin për gjoba për qytetarët serb që lëvizin me vetura me tabla të lëshuara nga Serbia dhe kjo e fundit mos të lëshojë më tabla KM.
Borrell ka kërkuar që Kosova të suspendoj vendimin për gjoba ndërsa që Serbia të mos lëshoj më targa ilegale.
“Dy palët nuk u pajtuan për një zgjidhje sot”, ka thënë Borrell.
Kurse, në një adresim për media, Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si një datë përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Natyrisht për ne nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë me çfarë jemi ftuar këtu, dakordimin që me urgjentë të angazhohemi për marrëveshjen finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Afati ka qenë marsi i vitit 2023. Pra po vimë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt ecje të re për marrëveshje para marsit të vitit 2023. Me keqardhje e them se ndërmjetësit, në këtë rast Borrell, hoqi dorë nga afati i marsit të vitit 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, Kurti u shpreh optimist se BE do të gjejë forcën që ti rrijë prapa propozimit të saj për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk mund të shndërrohemi me liderë shtetërorë që merremi me çështje të targave dhe nuk diskutojmë për normalizim”, tha Kurti.
Tutje, ai deklaroi se BE-ja propozoi që Kosova të mos shqiptojë më gjoba për targat ilegale dhe të vazhdojë me qortime, teksa Serbia të mos lëshojë më targa të tilla ilegale serbe.
“Pra të vazhdojmë me ato qortimet, ndërkaq Serbia të pushojë me emitimin e prodhimin, lëshimin e targave në Serbi që kanë për deminim qytetet e Kosovës por natyrisht për ne nuk është pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë çka kemi ardhur, dakormidimin që me urjgencë të dakordohemi për marrëveshje finale”, shtoi Kurti.