Dialogu Kosovë – Serbi, aktualisht ka hyrë në një dinamikë të re.
Madje, në deklaratën e tij, pas takimit të së mërkurës, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se nëse njëra nga palët pengon arritjen e marrëveshjes për normalizim, BE, mund ta ndërpres dialogun.
Por, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari, thotë se kjo nuk paraqet ndonjë problem, pasi Kosova është pala konstruktive në dialog.
“Po përderisa Kosova nuk është ajo palë për ne nuk është se do të ketë ndonjë humbje, por gjithashtu paraprakisht duhet të përcaktohen kushtet apo masat që do të ndërmerren nga palët të cilat janë destruktive apo të cilat nuk zbatojnë marrëveshjen. Kjo është shumë e rëndësishme dhe për këtë aspekt edhe kryeministri sot ka tregu vullnetin dhe përkushtimin e tij maksimal, që të jetë bashkë me Kuvendin e Republikës së Kosovës që të raportojë për procesin e natyrisht në këtë periudhë dinamike që të gjitha subjektet politike në Kosovë të jenë mirë të informuara dhe natyrisht të japin mbështetjen për një proces tepër të rëndësishëm apo për një finale për plotësimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thotë Kusari-Lila.
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se paralajmërimet për ndërprerje të dialogut përdorën edhe si një masë kërcënuese ndaj palëve në proces.
“Kjo është mënyrë se si sillen ndërmjetësuesit kur mendojnë se dialogu është i rëndësishëm apo një proces negociator e ka peshën e madhe. Është mjet i presionit është masë e kërcënimit por mbi të gjitha tregon edhe vendosmërinë Evropiane të cilët janë të interesuar vërtetë për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Në atë që nëse nuk ndodh diçka serioze dhe e mirëfilltë, të mbyllet procesi dhe palët, shtetet, Kosova dhe Serbia do të duhej ta mbajnë përgjegjësinë”, thotë Hoxhaj.
E për këtë çështje Besnik Tahiri nga AAK ka thënë se në këtë fazë duhet të ketë strategji e jo kushtëzime.
“Kujdesi duhet të jetë i dyanshëm, një anë Kosova duhet të ketë qëndrim shtetëror të saktë, por edhe BE-ja të mos ketë standarde të dyfishta. Rikthimi në një marrëveshje finale të mbështetur nga SHBA-ja dhe BE është çelësi. Nuk funksionon kushtëzimi, funksionon strategjia”, thotë Tahiri.
Të mërkurën, Kosova dhe Serbia u zotuan se do të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe do të angazhohen për arritjen e një marrëveshje finale të normalizimit të raporteve.
Kronika e realizuar nga Valmir Gallopeni