Madje, Çeku tha se do synojnë të marrin edhe certifikim ndërkombëtar për këtë stadium.
“Stadiumi do të kompletohet dhe do të synojmë kategorinë 4, do të synojmë edhe certifikim ndërkombëtar në mënyrë që përveç stadiumit të Fadil Vokrrit, ta kemi edhe atë të Gjilanit si stadiumin e dytë ku mund të kemi ndeshje të nivelit ndërkombëtar. Pra, besojmë që në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm do e kemi gati projektin, përgjigjet e sakta dhe procedurën për ta përmbyllur ndërtimin e këtij stadiumi”, deklaroi Ceku në emisionin “Këndi i Debatit”.
Tutje, ai tregoi edhe disa nga fazat në të cilat ndodhen momentalisht në hartimin e këtij projekti, raporton teve1.info.
“Aktualisht, jemi në fazën e hartimit të projektit të fazës së fundit të stadiumit. Stadiumin e Gjilanit e kanë nisur pa e pasur projektin final, pra e kanë nisur një stadium shumë të madh, investim multimilionësh pa e pasur projektin përfundimtar. Pra, ne tash jemi të detyruar ta hartojmë projektin e fazës së fundit dhe brenda disa muajsh ne do i kemi përgjigjet e sakta se kur do përfundojë, sa ka kushtuar dhe cilat janë detyrimet tjera të Ministrisë për ta mbuluar projektin”, potencoi ai tutje.
Punimet në stadiumin e qytetit në Gjilan kanë filluar saktësisht pesë vjet më parë. Që nga atëherë janë nënshkruar plot tre memorandume ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me Komunën e Gjilanit.
Punimet janë ndërprerë zyrtarisht në gusht të këtij viti./teve1.info/.