Rreth 1247 artefakte të Kosovës që më shumë se 20 vite qëndrojnë në Beograd.
Edhe pse ka pasur kërkesë zyrtare nga Muzeu Kombëtar që këto të kthehen, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Lidhur me këtë, nga Ministria e Kulturës thonë për tëvë1 se kanë kërkuar përgjegjësi politike nga Qeveria e Serbisë.
“Një pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë kulturore vazhdon të mbahet padrejtësisht në Serbi. Artefaktet tona janë marrë me qëllim ekspozimi të përkohshëm, por në rrethana të luftës. Reversët e nënshkruara nuk janë respektuar nga institucionet e Serbisë, ndërsa moskthimi i pasurisë kulturore në vendin e origjinës përbën shkelje të konventave ndërkombëtare. Ne kemi kërkuar përgjegjësi institucionale nga muzetë përkatëse në Beograd, si dhe përgjegjësi politike nga qeveria në Beograd për të përmbushur një obligim ndërkombëtar”, thuhet në përgjigje.
Këto artefakte, edhe sipas historianit, Ylber Hysa ishin marrë vetëm për një ekspozitë dhe më marrëveshje duhej që të ktheheshin.
Madje, sipas tij Serbia ishte dakorduar para ndërkombëtarëve që t’ia kthejë Kosovës këtë trashëgimi kulturore.
Së fundmi po ashtu është filluar një kampanjë në rrjetin social Twitter, për kthimin e artefakteve në Kosovë.
Deri më tash, nga ky thesar i artefakteve, Kosovës në maj të vitit 2002 i është kthyer vetëm një prej tyre, “Hyjnesha në Fron”.
Kronika e realizuar nga Doresa Geci.