Përmes komunikatës, Policia bën të ditur se nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, teksa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.
“Me këtë rast, Policia e Kosovës njofton opinionin publik në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore. Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Tutje, PK ka njoftuar se në vazhdimësi po përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend si dhe ndërmerr masat e nevojshme.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim./teve1.info/