Para pak çastesh ka filluar protesta e thirrur nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, raporton teve1.info
Në protestën e ftuar për ta kundërshtuar marrëveshjen e Ohrit dhe kërkesën për shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti, protestuesit kanë hedhur tym mbi objektin e Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës, ta kundërshtojnë marrëveshjen e dakorduar në takimin e 18 marsit në Ohër.
“Ne besojmë që kjo Qeveri, ia ka zymtu perspektivën e Kosovës dhe prandaj ftojmë qytetarët që të jenë vigjilent, duke e kundërshtuar këtë marrëveshje e cila paraqet zymtësi e gjithçka tjetër. Kjo është fytyra e vërtetë e Albin Kurtit, ai i cili është dorëzuar për ta mbajtur pushtetin, ndërsa e ka zymtësuar të ardhmen e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Molliqaj.
Paraprakisht, aktivistët e PSD-së kanë hequr flamujt e Kosovës përpara objektit të Qeverisë së Kosovës dhe ka vendosur flamuj të bardhë.
Për simbolikën e tyre, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se janë vendosur për të treguar se Kurti është dorëzuar.
Molliqaj ka thënë se “Zajednica” si emër Kurti e ka përdorë për të sulmuar kundërshtarët e kaluar, por tani nuk po e quan “Zajednicë” por po e quan vetëmenaxhim.
“Këta flamuj u zëvendësuan në mënyrë simbolike për të treguar që kryeministri i Kosovës është dorëzuar. Ne e duam Kosovën e UÇK-së, Kosovën e 14 Shkurtit. Albini ja ka ndërru mbiemrin vetës nga Kurti sot është Albin Zajednica”, ka thënë Molliqaj.